Qëllon me kallashnikov drejt banesës, plumbat kapin në fytyrë fëmijën duke fjetur, arrestohet autori
  • 5 years ago
BULQIZË-Një fëmijë 6-vjeç është plagosur në mesnatë me automatik në Krastë të Martaneshit. Nga të dhënat e para raportohet se fëmija ka qenë në gjumë kur është plagosur me tre plumba në pjesën e fytyrës. 6-vjeçari është transportuar fillimisht në spitalin e Dibrës, ndërsa më pas me helikopter në spitalin e Traumës për ndihmë të specializuar, pasi është në gjendje shumë të rëndë.

Sipas policisë autori i plagosjes së fëmijës është Jetmir Koxherri 27-vjeç. Pas një konflikti mes Koxherrit, babait të 6-vjeçarit me inicialet H. Rr. dhe një tjetër personi me inicialet Sh. P. në lokalin e fshatit, 27-vjeçari ka marrë armën e zjarrit tip automatik duke shkuar dhe qëlluar drejt banesës së tij, por plumbat kanë kapur fëmijën, që ishte në gjumë duke e plagosur rëndë.

Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate, policia është lajmëruar rreth orës 01:15, ndërsa mëngjesin e sotëm autori është arrestuar dhe arma e krimit është sekuestruar. Report Tv sjell pamjet e momentit të arrestimit të të riut. Ende nuk dihen shkaqet e sherrit, që në fund u plagos 6-vjeçari. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes duke vijuar hetimet.
Recommended