Report TV -Autori i masakrës së Selenicës del para gjykatës: Kur do ta shoh veten në televizor?
  • 5 years ago
Shumë i qetë, nuk kishte asnjë shenjë pendese, madje në një moment kur po dilte nga kafazi i hekurt ka pyetur oficerët se 'kur do ta shoh veten në televizor?'. Ritvan Zykaj ka dalë sot sërish në seancën e radhës, i akuzuar për masakrën e 10 gushtit në Selenicë, në fshatin Resulaj, aty ku vrau tetë persona, mes të cilëve dy të mitur.

Për Zykajn prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm, por vendimi ende nuk është dhënë, ndërsa në seancën e radhës priteshin të merreshin në shqyrtim deklarimet e të afërmve të Ritvan Zykajt. Sipas burimeve nga prokuroria konfirmohet se asnjë prej tyre nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri, referuar edhe sistemit TIMS. Në seancën e radhës Zykaj ishte braktisur nga të gjithë, madje dhe nga avokatët e caktuar kryesisht, të cilët kanë munguar në sallë. Pyetur nga trupi gjykues dhe relatori Ervin Trashi, Ritvan Zykaj ka thënë 'Nëse është e mundur, seanca të zhvillohet'.

Por duke parë mungesën e avokatëve të caktuar kryesisht Klajdi Mecaj që ndodhej në Itali dhe Migjen Xhavara, i cili ndodhej në një seancë tjetër gjyqësore dhe referuar faktit se bëhet fjalë për një cështje që nuk mund të zhvillohet pa praninë e tyre trupi gjykues i përbërë nga relatori Ervin Trashi, Skander Haluci dhe Laurent Fucia ka vendosur shtyrjen e seancës duke vendosur zhvillimin e saj për në datë 17 qershor ora 14:00.
Recommended