Report TV - 'Drejtësia', Basha: S'pranojmë presione për kohën e miratimit
  • 8 years ago
Pavarësisht apelit të ndërkombëtarëve, Partia Demokratike nuk tërhiqet nga drafti i saj për reformën në drejtësi. Kryetari i PD, Lulzim Basha u shpreh këtë të mërkurë pas mbledhjes së grupit parlamentar se reforma në drejtësi kërkon kohë dhe jo presion.

Duke iu përgjigjur deklaratës së zv/ambasadorit të SHBA, David Muniz dhe ambasadores së BE, Romana Vlahutin se nuk ka kohë për shqyrtimin e draftit të PD, Basha tha se parimet për një drejtësi të pakapur janë më e rëndësishme se koha. Sipas tij, s'mund të pranohen presionet e kohës së miratimit të reformës.

"I kemi thënë po reformës në drejtësi, por jo aspektit politik. Të votojmë amendamentet së bashku me paketën ligjore. S'mund të thuhet ka kohë e s'ka kohë, sepse parimet janë të rëndësishme,. Parimi është drejtësi e pa kapur. Drejtësi alla-Shullaz, alla-Prenga e alla-Kokëëdhima nuk do të pranojmë. Kushti jonë i vetëm është drejtësi e pakapur", u shpreh Basha.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një tjetër çështje e rëndësishme, tha Basha. Sipas tij, BE nuk do të çelë negociatat e anëtarësimit pa zgjedhje të lira e të ndershme. "Pa zgjedhje të lira e të ndershme, gjithçka tjetër është false. BE nuk hap kurrë negociata për një vend që nuk garanton zgjedhje të lira e të ndershme", tha Basha.
Recommended