Report TV - Vrasja e gruas në Vlorë, momenti kur ambulanca merr trupin e viktimës
  • 5 years ago
Krimi në familje ka goditur sërish. Mesditën e sotme në qytetin e Vlorës pas një sherri në familje burri ka mbytur gruan, ndërsa më pas ka prerë damarët duke tentuar vetëvrasjen. Viktima është Eva Lera 45-vjeç, ndërsa autori është Teodor Lera 57-vjeç, bashkëshorti i saj, që aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Gazetari i Report Tv në Vlorë, Armand Xhelili raporton se ngjarja ka ndodhur në dyqanin e çiftit Lera në katin e parë të një pallati pranë komisariatit të policisë së qytetit bregdetar, në lagjen "Kushtrimi". Gjithçka ka ardhur si pasojë e një sherri, që ka degraduar në dhunë dhe më pas burri e ka mbytur bashkëshorten.

Më pas në gjendje depresioni ai ka prerë damarët duke tentuar vetëvrasjen. Kanë qenë fqinjët, që pasi kanë dëgjuar zhurmat kanë lajmëruar me shpejtësi policinë. Por, në momentin që ka ardhur policia dhe ambulanca gruaja kishte ndërruar jetë. Ndërsa burri ndodhet në spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë.

Ende nuk dihen shkaqet e konfliktit që solli krimin e radhës në familje. Në momentin që ka ndodhur dhe debati, çifti ka qenë vetëm në dyqanin që kishin, pasi tre fëmijët i kanë në Amerikë, Angli dhe vajza e vogël studente në Tiranë. Sipas fqinjëve ai e dhunonte vazhdimisht gruan, e cila në një rast e kishte denoncuar, por më pas e fali për katër të fëmiëjve.
Recommended