Report TV - 147 raste të reja dhe 2 viktima nga COVID! 8 fëmijë të shtruar te infektivi i Pediatrisë

  • 3 years ago
TIRANË- 8 fëmijë të prekur me COVID-19 janë të shtruar te spitali Infektiv i Pediatrisë! Lajmi konfirmohet nga burime për Report Tv, teksa në total që nga fillimi i pandemisë 276 fëmijë janë infektuar. Ndërkohë në bilancin ditor, Ministria e Shëndetësisë bën me dije janë konfirmuar pozitiv 147 qytetarë, teksa 2 pacientë kanë humbur jetën.

"Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 830 testime për të dyshuar të prekur nga COVID-19, dhe janë identifikuar 147 qytetarë të prekur nga virusi SARSCOV2, ndërsa të shëruar rezultojnë 53 qytetarë. Me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe infermierëve në dy spitalet COVID, betejën me këtë virus të rrezikshëm nuk e kanë fituar dy qytetarë, një 59 vjeçar nga Tirana dhe një 73 vjeçar nga Elbasani", njofton Ministria e Shëndetësisë.

Një lajm i keq është se kjo e martë ka sjellë një ulje të ndjeshëm të numrit të qytetarëve që kanë fituar betejën me COVID. Ndryshe nga javët e kaluara, kur kjo shifër i kalonte rasteve ditore, sot janë shëruar 53 qytetarë.

Në spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 199 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 19 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.  Ministria e Shëndetësisë vë thekin në zbatimin e masave, aq më tepër kur dhe pak nis shkolla.

"Ruani distancën me të tjerët; Maska duhet të mbahet patjetër në ambientet e mbyllura dhe kudo ku distance nuk ruhet dot;Higjiena e duarve dhe ajo respiratore është e rëndësishme. Me rikthimin e shkollave ky moment merr një rëndësi të veçantë për kontrollin e infeksionit, prandaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton edhe njëherë se zbatimi i rregullave duhet të bëhet pjesë e përditshmërisë sonë", përfundon apeli i Ministrisë.

Recommended