Sot 3 viktima, 71 raste të reja me COVID, 45 të shëruar, 9 në gjendje të rëndë te Infektivi
  • 4 years ago
TIRANE- Java e re ka nisur sërish me shifra të larta të të prekurve me COVID, por edhe pacientëve që kanë humbur jetën. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën te Infektivi 3 pacientë, mjeku Hysni Shkjau nga Puka, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana duke e çuar në 79 numrin e viktimave në total. "Mjeku luftonte prej disa ditësh me sëmundjen në spitalin infektiv. Dhe dy qytetarë, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana, megjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë" thotë ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë që vijon që të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht janë 78 pacientë në spital, prej të cilëve 9 në gjendje serioze në terapinë intensive, 2 prej tyre të intubuar në gjendje të rëndë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 459 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 71 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Elbasan, 6 në Durrës, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, 4 në Kurbin, 3 në Vlorë, nga 2 raste në Korçë, Shkodër, Përmet, dhe nga 1 rast në Delvinë, Vau Dejës, Bulqizë, Kamëz, Fier.

Ministria e Shëndetësisë thekson se është vënë re një numër më i lartë i testimeve por përqindja e pozitivitetit është reflektuar me një nivel qëndrueshmërie pothuaj të njëjtë gjatë gjithë javës. Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1702 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1183 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
Recommended