Gjak, gëzhoja dhe xhamat e thyer! Report Tv në vendin që u vra 'Rramani' i Elbasanit

  • 4 years ago
TIRANE-Report Tv zbardh detaje të reja nga ekzekutimi mafioz dje në Elbasan. Një burim i tha gazetarit të Report Tv Merin Maçi se Emiljano Ramazani u ekzekutua pak minuta pasi kishte dalë nga palestra. Ai është mbajtur në vëzhgim nga autorët të cilët kanë gjetur momentin për ta ekzekutuar sapo 39 vjeçari po parkonte automjetin "Ford Focus" poshtë banesës së tij. Palestra që 39-vjeçari shkonte ndodhej në lagjen 'Beqir Dardha'. Autorët kanë ndjekur prej kohësh të gjitha lëvizjet e tij dhe dje në orën 16:30 e pritën poshtë shtëpisë, kur po kthehej nga palestra dhe po parkonte makinën duke e qëlluar 5 herë për vdekje.

Një ditë pas ngjarjes Report Tv ishte sërish në vendin që u ekzekutua Ramazani. Gazetari i Report Tv në Elbasan Ronaldo Gjoshi konstatoi në vendin e ngjarjes një gëzhojë që kishte mbetur nga të shtënat që sollën vdekjen e 39-vjeçarit.Prova materiale i shpëtoi vëmendjes së grupit hetimor ditën e djeshme, edhe pse në vendin e ngjarjes ishin drejtuesit më të lartë të policisë dhe prokurorisë. Gjithashtu në pamjet që sjell Report Tv duket se një nga plumbat që shkrepën autorët ka depërtuar në xhamin e një godine. Xhamat e makinës 'Ford Focus' ku u vra Ramazani dhe njollat e gjakut ende nuk janë pastruar poshtë pallatit të tij.

Recommended