Vendoset pllakat në shtëpinë e Migjeni tashmë të gjithë do kujtojmë se ku lindi poeti Mjerimit

  • 5 years ago
SHKODËR- Një ditë përpara përkujtimit të 108 vjetorit të lindjes së Migjenit, në banesën ku ka jetuar dhe ka vdekur poeti i Mjerimit është vendosur një memorial e cila dëshmon se ai ka jetuar në atë godinë, duke i dhënë tashmë një gjurmë të shtuar kësaj figure, e cila i dha aq shumë letërsisë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin mjaft artdashës të poetit të njohur. Konsulli i nderit të Austrisë, Gjergj Leqejza u shpreh se iniciativa të tilla simbolike duhet të ndërmerren më shpesh.

"Demokracia aq e shumë pritur në Shqipëri natyrshëm erdhi edhe me disa gabime, keqinterpretime apo me disa vlerësime për figurat e ndryshme të kulturës, të historisë dhe qytetarisë Shqiptare Shkodrane dhe gjithmonë është koha për me menduar dikush për t'i i korrigjuar dhe për t?i vendosur në vendin që ata meritojnë.  Ne menduam që në mënyrë modeste ta vendosim një shenjë, këtu në këtë shtëpi ku familja e Migjenit ka jetuar dhe ku Migjeni edhe ka mbyllur sytë", tha Konsulli i nderit të Austrisë, Gjergj Leqejza.

Nga ana tjetër, profesori Alfred Çapaliku u shpreh se në saj të këtij memoriali do ta kujtojmë ditëlindjen e tij.

"Vetëm 27 vite ju deshën Migjenit që të ndërtonte gjithçka. Të ndërtonte lavdinë dhe të ndërtonte përjetësinë. Askush nuk kujtohet se ku vdiq Migjeni, por në saje të kësaj pllake ne do të kujtojmë gjithmonë lindjen e tij. Migjeni jo vetëm si njeri, por si një frymë. Ai shënon gjithashtu edhe ndoshta të vetmen urë lidhëse midis letërsisë së traditës dhe asaj moderne", u shpreh Çapaliku . 

Gjithashtu, letrari Zija Vukaj shpreh se Migjeni hapi një epokë të re në letërsinë shqipe, ndërsa theksoi faktin se poetë si ai nuk kthehen më në Shqipëri.

"Në fakt kemi një arsye madhore për ta pasur vëmendjen tek ky autor i cili hapi një epokë krejt të re në letërsinë shqipe. Ishte poeti i cili shënoi valën e re artistike dhe rrymën më modern që ndodhi ndonjëherë në artin dhe letërsinë shqipe. Sot ndoshta është pak e vështir me e kuptuar, por bashkëkombasit e tij më vonë kanë ditur me e studiuar dhe me e gjetur vendin. Erdhi kjo ditë, erdhi ky çast me e vendosur këtë pllakë e cila dëshmon se Migjeni ka jetuar në këtë banesë, në këtë shtëpi", tha Vukaj.

Recommended