Bllokohen 1.6 milione litra gaz natyror

  • 5 years ago
1.6 milionë litra gazi natyror me mangësi në cilësi janë bllokuar nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial.
Pika e tregtimit të gazit të lëngshëm ndodhet në periferi të kryeqytetit, e pas analizave të kryera nga Inspektorati është konstatuar se ka pasur mangësi në cilësinë që u shitej konsumatorëve, por edhe në shmangien e pagesës së taksave.
?Gjatë kontrollit të ushtruar nga ana jonë dhe pas modularëve të përgatitur nga drejtoritë e analizave respektive kemi konstatuar që një subjekt ka pasur shmangie cilësore, thyrjen e procedurave si dhe shmangien e fiskut. Menjëherë autoritetet kanë ndërvepruar me njëra-tjetrën duke identifikuar subjektin dhe duke e penalizuar atë për cilësinë e produktit, modalitetet, formën e shitjes së produktit?, tha Kryeinspektori i ISHTI, Admir Abrija.
Kreu i Doganave, Arlind Gjokuta tha se për të gjithë litrat e bllokuara, 1.6 milionë, nuk ishte paguar detyrimi i akcizës, duke shmangur plot 350 mijë euro taksa.
?Subjekti kishte hedhur në qarkullim rreth 1.6 milionë litra gaz natyror të lëngshëm pa paguar detyrimet e akcizës. Në total, detyrimi i munguar dhe penaliteti i vendosur ndaj këtij subjekti arrin në shifrën prej 38 milionë lekësh ose përafërsisht 350 mijë euro?.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të kontrollojë deri në fund të vitit të gjitha magazinat fiskale, jo vetëm ato në fushën e hidrokarbureve, por edhe në atë të duhanit e pijeve alkoolike.

Recommended