Report TV -Banorët e Kozares kërkojnë të marrin në dorë kishën 300-vjeçare monument kulture
  • 5 years ago
KUÇOVE - Kisha e Shën Ungjëllizimit në fshatin Salcë-Kozare në rrethin e Kuçovës, një monument kulture 300-vjeçar, është lënë prej vitesh në mëshirë të fatit. Askush nga institucionet përgjegjëse nuk është kujtuar më për këtë pasuri të veçantë, e cila u zhduk nga flakët 5 vjet më parë, nga qirinjtë e lënë ndezur pas meshës fetare gjatë festës së Shën Marisë, në 15 Gusht 2014.

Banorët kanë kërkuar një dëgjesë publike me drejtuesit e Mitropolisë dhe bashkisë së Kuçovës. Pas shumë kërkesave dëgjesa publike mes tyre është zhvilluar në ambientet e brendshme të kishës së djegur dhe pa çati.Banorët kanë kërkuar që kisha të ndërtohet mbi themelet e mbetura dhe më pas t?i kalojë komunitetit në mënyrë që ata ta mirëmbajnë vetë. Ndërsa fillimisht kërkojnë vendosjen e kambanës, që sipas tyre, duhet të dëgjohet nga besimtarët ortodoksë çdo ditë dhe gjatë festave fetare.

"Këtë kishë e kanë ndërtuar gjyshërit tanë e baballarët tanë të cilët janë të shtrirë të gjithë pas kësaj kishe dhe po rënkojnë e po na shajnë dhe po na bërtasin neve pasi nuk ishim në gjendje ta mbajmë këtë. Ne duam që kjo kishë të hiqet nga muzeu, pasi muzeu e katandisi në një stallë bagëtish. Duam që kjo kishë t'i kalojë komunitetit".

"Doja që këtë kishë të vendosej kambana që të dëgjohej qoftë për Krishtlindje, qoftë për Pashkë. T'i ndihej zëri sërish, sepse ka shumë vite që kjo nuk është dëgjuar si kishë", - shprehen banorët.

Kryetari i Bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari u shpreh se do të bëhet maksimumi për restaurimin e kësaj kishe.

"Kjo kishë që të restaurohet ka nevojë për një fond goxha të madh që edhe bashkia e Kuçovës ashtu sikurse thatë edhe ju që banorët janë të varfër edhe bashkia e Kuçovës nuk është fortë mirë ekonomikisht. Gjithsesi ne do të bëjmë maksimumin tonë. Do të trokasim nëpër dyert përkatëse si edhe do të bëjmë projektin gati", tha ai.

Kisha Ungjëllizimit në fshatin Kozare të Kuçovës daton që prej viteve 1700-1800.
Recommended