Tjetër përplasje/ Xhaçka i kërkoi shkarkimin, Meta: Dogjani lirohet, por për mbarim mandati

  • 5 years ago
TIRANE-Shënohet një tjetër përplasje mes qeverisë dhe Presidencës. Kreu i shtetit ka dekretuar sot lirimin nga detyra të komandantit të Forcës Detare Ylber Dogjani, por jo mbi kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes që mban datën 4 shkurt të këtij viti për vjedhjen e armatimeve në bazën e Pashalimanit, por se i mbaroi mandati.

Pas vjedhjes së armatimeve në Pashaliman në 11 janar të këtij viti, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura nisi një hetim administrativ dhe doli në përfundimin se përgjegjës për ngjarjen ishte i gjithë zinxhiri komandues i Forcës Detare duke filluar nga komandanti i Forcës Detare Ylber Dogjani. Në bazë të hetimit, përgjegjësia për masat e sigurisë në bazën detare, iu ngarkua komandantit të Forcës Detare Ylber Dogjani, komandantit të bazës dhe të gjithë linjës së komandimit.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm shkarkoi nga detyra 15 ushtarakë përgjegjës në drejtim-komandimin dhe cështjet e sigurisë e ruajtjes në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit. Gjithashtu Ministrja e Mbrojtjes nisur nga rezultatet e hetimit administrativ i propozoi Presidentit të Republikës, shkarkimin e komandantit të Forcës Detare, Gjeneralmajor, Ylber Dogjani.

Propozimi qëndroi 7 muaj mbi tryezën e Presidentit dhe Ilir Meta nuk veproi deri kur i mbaroi mandati duke mos e shkarkuar me motivacionin që i kërkoi ministria e Mbrojtjes, por për mbarim mandati. "Me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, dekretoj shkarkimin nga detyra të Gjeneral Major Ylber Selman Dogjani për shkak të mbarimit të mandatit" thuhet në njoftimin e Presidencës.

Recommended