Ngritja e SPAK/ Ambasadori i OSBE-së te Krimet e Rënda, nënshkruhet 'memorandumi i mirëkuptimit'
  • 5 years ago
Ambasadori i OSBE-së, Benrd Borchart ka zhvilluar një takim me Prokuroren e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Report Tv mëson se axhenda e takimit është asistenca që OSBE do të japë për Krimet e Rënda dhe ngritjen e SPAK.

Ky takim vjen dy ditë para 30 qershorit, datë e cila përkon me zhvillimin e zgjedhjeve lokale, duke iu referuar dekretit të parë të presidentit Meta, nisur nga fakti që zhdekretimi i kësaj date, apo caktimi i një date tjetër është gjykuar si vendim "nul" nga Kolegji Zgjedhor. OSBE do të ketë vëzhguesit e saj në këto zgjedhje vendore. Në këtë takim është nënshkruar edhe një memorandum "mirëkuptimi", qëllimi i së cilës është përcaktimi i bashkërendimit të angazhimit të Palëve në lidhje me termat dhe kushtet për të cilat  bien dakord OSBE dhe  Prokuroria e Krimeve të Rënda, njofton Prokuroria.

Gjithashtu, ky takim vjen një ditë pasi kreu i KLP-s Genti Ibrahimi sqaroi se faza e intervistimit dhe pikësimit të kandidatëve që kanë aplikuar për SPAK, Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, do të mbyllet brenda korrikut. 

Report Tv disponon dokumentin, në të cilën përcaktohen qartë roli i palëve.

"Në varësi të dispozitave të këtij Memorandumi OSBE synon të kryejë një punë  studimore, e cila konsiston në një analizë dhe shqyrtim të plotë të kuadrit ligjor aktualisht në fuqi, që rregullon dhe ndikon në bashkëpunimin e policisë gjyqësore dhe prokurorisë. Sipas dispozitave të këtij Memorandumi Mirëkuptimi, Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana e saj  do të jetë mbështetëse dhe do të ndihmojë për mundësimin e një procesi të qetë  për sa i përket grumbullimit të të dhënave që do të zhvillohet në terren, në formën e pyetësorëve dhe intervistave. Do të mundësojë akses në informacionin e saktë në lidhje me organizimin e personelit brenda institucionit, si numri total i prokurorëve, policisë gjyqësore, gjinia, mosha e tyre, etj. Do të lehtësojë procesin e shpërndarjes dhe grumbullimit të pyetësorëve brenda institucionit, duke siguruar që ky proces të kuptohet brenda radhëve të prokurorëve dhe policisë gjyqësore. Do të të sigurojë akses në mjediset e saj për personelin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, të caktuar për të kryer analizën, si dhe të mundësojë një hapësirë të përshtatshme për ata që të ndërmarrin aktivitetet e tyre", shkruhet në dokument.
Recommended