Endrit Bacaj: Arratisja jone nga stacioni policor i Athines me 3 Qershor

  • 5 years ago
Endrit Bacaj, njëri prej 4 të arratisurve nga stacioni policor në Athinë, tregon çfarë ndodhi më 3 Qershor në orët e para të mëngjesit. Në një lidhje telefonike për tvklan.al, 32-vjeçari thotë se plani u sajua në moment. Njëri prej 4 të burgosurve u shtir si i sëmurë dhe kur roja shkoi për të ofruar ndihmë, e kërcënuan me thika të improvizuara.
Katër të burgosurit shkuan në zyrat ku qëndronin punonjësit e stacionit të policisë. I çarmatosën, i lidhën me pranga dhe morën pistoletën. Nën kërcënimin e armës, zbritën në parkimin e nëndheshëm të godinës dhe u futën në makinën e policisë. Brenda mjetit ishte edhe një efektive femër, të cilën e detyruan të ngiste automjetin deri tek dalja kryesore. Aty u përballën me një roje tjetër, i cili refuzoi të hapte portën. Prej këtej, u larguan me këmbë deri në afërsi të një lumi, ku dhe u ndanë. Pas arratisjes nga stacioni policor, Endriti theu këmbën dhe u kap nga forcat policore pas 14 orësh. Ai thotë se në asnjë moment nuk ushtruan dhunë ndaj rojeve të sigurisë.
Endriti ndodhet në spitalin e burgut të Koridhalos, ku pret që të operojë këmbën e thyer. Problemet e tij me drejtësinë nisën kur ai shkoi në Greqi në vitin 2008.
Para se të arratisej nga stacioni policor, prej 4 vitesh vuante dënimin në burgun e Kretës.
Mariol Toska, Adrian Çobo, Endrit Bacaj dhe Astrit Çela u arratisën nga qelia e stacionit policor 'Petrou Ralli' në orën 03:00 të mëngjesit të 3 Qershorit. Në kërkim është vetëm Astriti, ndërsa të tjerët u kapën sërish pas disa orësh.

Recommended