Çelet në COD ekspozita "Arkivi Fotografik' i çiftit Quaroni, Shqipëria në vitet 1928 -1931

  • 5 years ago
Për herë të parë prezantohet i gjithë arkivi Quaroni (mbi 780 fotografi) të digjitalizuara për këtë ekspozitë. Fotografitë janë realizuar nga çifti Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në ambasadën italiane në Shqipëri. Të pabotuara më parë, 86 fotografitë i përkasin periudhës 1928-1931, shoqëruar nga dy dokumentarë të periudhës së asaj kohe.

Duke patur parasysh rëndësinë e këtij arkivi Familja Quaroni i ka dhuruar shtetit shqiptar, në formë digjitale, të gjithë arkivën e familjes së saj, me 780 fotografi. Të gjitha fotot e digjitalizuara, mund të shihen sipas një renditjeje kronologjike në formë projeksioni filmik, po në këtë ekspozitë. Është dëshira e familjes Quaroni, që gjithë Arkiva Fotografike Quaroni, Albania 1928 ? 1931 të jetë e përdorshme për të gjithë të interesuarit për historinë e Shqipërisë, si nga historianët, studiuesit, diplomatët, gazetarët, ashtu dhe studentët shqiptarë e të huaj.

Vizitorët do të zbulojnë ngjarje, njerëz, jetën e përditshme, peizazhet dhe traditat e Shqipërisë, ashtu si janë vëzhguar dhe përjetuar nga Pietro dhe Larissa Quaroni. Ekspozita përcjell një kontekst me interes të madh historik dhe social: imazhe befasuese dhe origjinale, një përshkrim i rrallë dhe unik, veçanërisht i figurave politike dhe i personazheve që kanë dominuar skenën shqiptare të viteve ?20 dhe ?30.

Kjo ekspozitë vjen në Shqipëri në bashkëpunim me ambasadën italiane dhe Institutin Italian të Kulturës. E pranishme ishte Cristina Quaroni, mbesa e çifit Quaroni, ambasadori italian Alberto Cutillo dhe drejtoresha e Institutit Italian, Alessandra Bertini Malgarini.

Recommended