Ish-krahu i djathtë i Llallës në Vetting, s'i pranojnë motrën ndihmëse, 'sherr' me vëzhguesin

  • 5 years ago
TIRANE- Rovena Gashi, ish-drejtuese e njësisë për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme e njohur si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla pas shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dalë sot para trupës së Kolegjit të Apelimit duke kërkuar rrëzimin e vendimit dhe rikthimin në detyrë. Seanca e parë u shty për shkak se Kolegji nuk pranoi që Rovena Gashi të asistohej nga motra gjatë procesit. Sipas Kolegjit, Rovena Gashi mund të mbrohet vetëm me avokat dhe jo ndihmësse, asistente gjatë procesit.

"Subjektet e rivlerësimit mund të zgjedhin avokat ose mbrojtës por jo asistent apo ndihmës. Rovena Gashi ftohet të zgjedhë një avokat nëse do" tha kryetarja e trupës Albana Shtylla. Ndërsa motra e Rovena Gashit, Ema akuzoi Kolegjin se e filloi procesin në shkelje. Ajo u shpreh se ligji i rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe kodi i procedurës administrative e parashikon asistentin në proces. Ndërkohë që gjatë seancës pati replika edhe me përfaqësuesin ndërkombëtar të OMN-së.

Vëzhguese sot ishte përcaktuar për të qenë Mia Rozing, por për shkak të probleme shëndetësore, në seancë ishte paraqitur Teo Jacobs, i njohur tashmë si 'makthi' i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë kaluar në vetting. Ema Gashi tha se nuk janë njoftuar për zëvendësimin, ndërsa Teo Jacobs replikoi duke u përgjigjur se "këtu përfaqësoj OMN-në". KPK-ja në 25 korrik të vitit të kaluar e shkarkoi Rovena Gashin me arsyetimin se nuk justifikon pasurinë, nuk ka burime të ligjshme si dhe ka bërë deklarim të pasaktë.

KPK ngriti dyshime për 16 apartamente në Durrës të cilat dyshohet se i përkasin Nuredin Gashit, babait të Rovena Gashit (lexo ketu të plotë). Seanca e radhës do të jetë në datë 23 prill, ndërsa pritet që të shikohet nëse Rovena Gashi do të ndryshojë qëndrim duke pranuar motrën si avokate dhe jo si asistente, apo do të marrë një tjetër avokat. Përplasjet gjyqësore duket se sapo kanë filluar mes palëve...