Servet Pëllumbi: Zgjedhje të parakohshme?! Përse duhen?! Mazhoranca mund të qeverisë
  • 5 years ago
Ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, thotë se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në krizën politike në Shqipëri, duke hequr paralele edhe me atë se çfarë po ndodh në Francë, me protestat e 'jelekverdhëve' kundër qeverisë.

"Mendoj se nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme, këto situata ndodhin edhe në vende të tjera, jelekverdhët në Francë kanë 5 muaj dhe Macroni vazhdon punën i qetë. Ata kanë të drejtë të protestojnë, kur e teprojnë shteti vepron me mjetet që i lejon ligji. Në Shqipëri nuk janë jelekverdhë biles edhe jeleku antiplumb i Berishës është vjetërsuar", tha Pëllumbi, teksa futej në ambientet e Pallatit të Kongreseve për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialiste. Referuar këtij eventi, Servet Pëllumbi tha se ky kongres është i një rëndësie të veçantë për situatën që po kalon vendi.

"Ky kongres pritet të japë një mesazh të fortë për qeverisjen e mazhorancës socialiste, që është me vlerë të madhe për të ardhmen integruese të Shqipërisë. Them se do të japë një mesazh për fitoren e 30 qershorit, mesazh që delegatët dhe të ftuarit do ta çojmë anembanë Shqipërisë", tha ish-kryeparlamentari.

I pyetur nga gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, nëse do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme, Servet Pëllumbi përgjigjet: "Nuk ka pse bëhen zgjedhje të parakohshme, në kushtetutë është përcaktuar, zgjedhjet bëhen një herë në 4 vjet dhe mund të bëhen zgjedhje të parakohshme kur humbet mazhorancës qeverisëse, nuk qeveris dot dhe nuk miraton dot një ligj, derisa një kusht të tillë nuk e kemi nuk ka pse të ketë zgjedhje se është mundim i madh për popullin dhe minus për demokracinë"

A mund të mbahen zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, pa opozitën? Servet Pëllumbi thotë PO.

"Mirë është të jetë opozita, por opozita nuk është ata që dalin e rrethojnë parlamentin, opozita është tek populli. marrin nuk marrin pjesë forcat politike populli do votojë të zgjedhë përfaqësuesit e vet, qofshin të pavarur apo partiak", tha ai.

I pyetur për deklaratat e presidentit Ilir Meta se është gati të sakrifikojë karrigen dhe jetën e tij për zgjidhjen e krizës politike në vend, Pëllumbi u shpreh: "Deklaratat që kanë panik nuk komentohen".
Recommended