Ora News – Ditë historike në Tuz, shqiptarët e bashkuar drejt fitores së komunës

  • 5 years ago
#oranews #tuz
Kjo e dielë po shohet si një ditë historike për shqiptarët e komunës së Tuzit në Mal të Zi, të cilët për herë të parë pas 62 viteve u jepet mundësia të qeverisin të pavarur nga Podgorica zyrtare.

Në siglën ?Malësia na Bashkon? partitë shqiptare u bashkuan në një të vetme për të garuar.

Procesi i votimit në rajonin me shumicë shqiptare nisi në orën 7 të mëngjesit dhe pritet të përmbyllet qetësisht në orën 20 kur të 11 900 banorëve tu jetë dhënë e drejta e votës.

Sipas sondazheve paraprake, më i favorizuari për fitoren është kandidati shqiptar Nik Gjeloshaj që përfaqëson koalicionin e tri forcave politike shqiptare nën sloganin "Malësia na Bashkon".

Vetë Gjeloshaj deklaroi pas votimi se ai është shpresëplotë që komuna do tu takojë shqiptarëve dhe bëri apel që mbështetësit e tij të shfrytëzojnë orët e mbetura.

Gjeloshaj: Një apel të madh për të gjithë votuesit që të dalin në mënyrë masive që të votojnë, të shfrytëzojnë rastin të jenë pjesë e këtij vendimi historik.

Zgjedhjet për komunën e Tuzit dhe veçanërisht dalja e disa partive shqiptare për herë të parë në një sigël të vetme është komentuar me kureshtje dhe ka frymëzuar edhe bashkombas shqiptarë përtej kufijve të vizitojnë vendin apo edhe të votojnë.

Tensionet gjatë fushatës kanë qenë të pakta dhe procesi i votimit ka vijuar pa incidente madhore përveç një rasti kur një shqiptar u pengua në aeroport teksa përshëndeste me simbolin e shqiponjës.

Sead Nikaj: Unë kam ardhur për të votuar, pasi partitë tona u bashkuan pas disa dekadash. Hapin e parë e bënë vendasit. Po kryejmë obligimin që kemi ndaj Tuzit.Sapo dola nga avioni më shihnin me një sy shumë të keq. Më ndanë në një dhomë. Kur dola, përshëndeta familjarët e mi me një shqiponjë krenare. Policët më thanë këtë bëje në një vend tjetër. Unë këtu se kjo është toka ime. Fitues jemi sepse jemi të bashkuar. Do ta marrim Malësinë në dorë. Situata është e qetë.

Të shumtë kanë qenë shqiptarët që kanë ardhur vetëm për tu bërë pjesë e votimit, mes tyre dhe Mark Gjonaj, këshilltar në bashkinë e Nju Jorkut.

Gjonaj: Kurrë më mirë nuk e kam ndjerë vetën shpirtërisht, zemrën e kam plot. Malësorët sot e kanë vënë kombin përpara, jo partinë. Kjo është më e madhe se një komunë, kjo është çështje kombëtare.

"Besoj se do të jetë një rikthim i madh në jetën politikke, ekonomike dhe kulturore për shqiptarët".

"Shpresoj se do të jemi ne tani të zotët e shtëpive tona dhe trojeve tona".

Në vend mbizotëron droja se minoriteti shqiptar diskriminohet si përsa i përket roleve në administratë edhe prej etnisë së tyre pavarësisht se në rajonin e Malësisë këta të fundit përbëjnë rreth 70% të popullësisë.

Këto janë zgjedhjet e para në Tuz që prej shkëputjes nga Podgorica vitin e kaluar.

Koalicioni shqiptar beson se përmes bashkimit ata do të kenë mundësinë të marrin 17 nga 32 këshilltarët e komunës dhe më pas të drejtën për të zgjedhur kryetarin e Tuzit.


Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/ne-tuz-zhvillohen-sot-zgjedhjet-komu...

Recommended