Regjister per kompanite “offshore” dhe llogarite bankare

  • 5 years ago
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur punën për të krijuar regjistrin kombëtar të kompanive që operojnë në Shqipëri, i cili do të zbardhë të gjithë listën e pronarëve përfitues të çdo firme, përfshirë dhe ato që janë të regjistruara në parajsat fiskale dhe operojnë nën një regjim ku emrat e aksionerëve mbahen të fshehta.

Në një intervistë për televizionin Klan, Arlind Gjokuta, drejtor i Parandalimit të Pastrimit të Parave thotë krijimi i këtij regjistri do të jetë i hapur për publikun dhe do të tregojë çdo pronar i cili zotëron mbi 25% të aksioneve në një shoqëri.

Por paralelisht me regjistrin e kompanive, do të krijohet edhe ai i llogarive financiare, ku do të mblidhen të dhënat bankare të çdo personi fizik në Shqipëri, duke nxjerrë në kohë reale ndryshimin e pasurive të tyre.

Të gjitha ndryshimet, përfshirë edhe ato në ligjin bazë ?për Parandalimin dhe Pastrimin e Parave?, po bëhen pas rekomandimeve që ka lënë Këshilli i Europës përmes organizmit të Moneyval.

Për krijimin e dy regjistrave, është kërkuar asistenca e Bashkimit Europian, ku ekspertët do të bëjnë skanimin e regjimit ligjor në Shqipëri dhe do të rekomandojnë modelin që do të ndiqet. Aktualisht të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë një regjistër të tillë, ndërsa në rajon është Serbia që ka zbatuar këtë direktivë. Regjistri pritet të jetë gati brenda 3 vjetësh.

Tv Klan

Recommended