Djegia e mandateve, OSBE: Presion jodemokratik, ata që nxisin dhunën do të mbajnë përgjegjësi
  • 5 years ago
Faktori ndërkombëtar vijon që ti bëjë thirrje opozitës shqiptare që të heqë dorë nga kërcënimet për djegien e mandateve dhe aktet e dhunës. Pas SHBA-së (lexo ketu) dhe BE-së, edhe Prezenca e OSBE-së në Tiranë i ka bërë apel Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që të tërhiqen nga vendimi për të djegur mandatet. OSBE, vendimin e cilëson si heqje dorë nga përgjegjësia, ndërsa këshillon fuqishëm që të mos ndërmerret asnjë përpjekje për të tronditur themelet e demokracisë përmes dhunës dhe që të mos ndryshohet procesi demokratik përmes presionit jodemokratik.

OSBE paralajmëron se ata që nxisin dhunë, referuar protestës së nesërme para parlamentit, do të mbajnë përgjegjësi të plotë, ndërsa shton se me keqardhje konstaton, se opozita nuk po dëgjon thirrjet e partnerëve. Por, pavarësisht thirrjeve të miqve ndërkombëtarë, opozita shprehet e vendosur për të djegur mandatet, teksa sot pasdite deputetët kanë firmosur edhe dokumentin ku heqin dorë (lexo ketu). Opozita do të protestojë nesër para Kuvendit, ndërsa seanca plenare u anulua për shkak të frikës se tubuesit mund të futen brenda sallës
Recommended