Report Tv-Ekskluzive/ Lirohet i dënuari përjetë për vrasjen e të fortit të Tiranës /VENDIMI
  • 5 years ago
Lirohet nga qelia e burgut në Drenovë të Korçës, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e të konsideruarit i forti i Tiranës, Naim Zyberit, në vitin 1997 në Itali.

Gert Gjinarari, 45 vjeç, ka përfituar lirim me kusht, në të njëjtën procedurë abuzive që shpëtoi nga dënimi përjetë edhe Dritan Dajtin, autor i vrasjës së 4 policëve. Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm në Itali, por me sjelljen e dosjes në Shqipëri ai kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pranuar të gjitha aktet e akuzës, çka e çon dënimin përjetë në 25 vite burg. Një procedurë kjo e ndryshuar vitet e fundit, ku tashmë ndalohet gjykimi i shkurtuar për vepra të rënda penale, veçanërisht për vendime me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Korçës, kryesuar nga kryetari Markelian Kuqo ka vendosur të pranojë kërkesën e Gjinararit për lirim me kusht, një vendim i marrë më 14 shkurt të këtij viti, në ditën e "Shën Valentinit". Gert Gjinarari u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, ndërsa akuzohet si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Zyberit.

Në vendimin që disponon Report Televizion thuhet se " urdhërohet i dënuarit Gert Gjinarari që gjatë kohës së provës të raportojë rregullisht para Shërbimit të Provës, Zyra Vendore Tiranë, sipas rregullave që iniciohen për këtë qëllim procesi nga ky shërbim ligjor, si dhe të marrë në cdo rast lejen e këtij shërbimi për lëvizjet e shpeshta brenda ose jashtë vendit, së bashku me detyrimin për të informuar Shërbimin e Provës për cdo ndryshim të mundshëm të vendit të banimit që duhet të realizohet vetëm mbi lejimin e këtij shërbimi"

Po ashtu në vendim theksohet që Gjinarari gjatë kohës së provës nuk duhet të shoqërohet me persona të dënuar, dhe as mos të mbajë me vete asnjë lloj arme.

Në vendim shkruhet se Gjinarari është plotësisht i rehabilituar dhe i gatshëm për tu riintegruar në shoqëri, duke argumentuar se një nga arsyet e dhënies së lirisë me kusht është edhe sjella e mirë që i dënuari ka pasur në burg, "shembullore", - theksohet në vendim.

"I dënuari paraqitet me normalizim të plotë të marrëdhënieve me trashëgimtarët e viktimave nga vepra penale", thuhet në vendim.

Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Korçës brenda 15 ditëve.
Recommended