Report Tv-Mbyllet komisioni 'Tahiri'. Balla: I ka skaduar mandati që në 6 dhjetor

  • 5 years ago
Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar sot kërkesën e opozitës për zgjatjen e afatit të komisionit hetimor parlamentar "Tahiri". Pas mbledhjes, në një deklaratë për mediat, nënkryetari i PD, Edi Paloka u shpreh se opozita do bëjë një tjetër kërkesë për ringritjen e komisionit që do të hetojë veprimtarinë e ish-ministrit të Brendshëm i vënë nën akuzë për trafik droge me Habilajt, por edhe të personazheve të tjera të maxhorancës të akuzuar nga opozita për lidhje me krimin.

"Do dorëzojmë një tjetër kërkesë. Kërkuam të shtyheshin afatet e komisionit hetimor. Kjo qeveri ka lidhje direkte me drogën. Në momentin më të parë që do të përgatitet kërkesa, do ta dërgojmë. Hetimet do bëhen nga Rama e deri te Taulant Balla, jo vetëm për Tahirin. Lidhjet e qeverisë me krimin vijojnë të jenë problem madhor. Ka emrin e Tahirit komisioni, por lidhet me fenomenin, me emrat që kanë qenë dhe janë sot në qeveri", tha Paloka.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se mandati i komisionit ka përfunduar që në datën 6 dhjetor 2018 kur PD dhe LSI ishin në bojkot. Sipas tij, vijimi i punës së këtij komisioni pas këtij afati, do përbënte shkelje ligjore. Megjithatë, Balla la të hapur mundësinë e ringritjes së komisionit nëse opozita do ta kërkojë.

"Mandati ka përfunduar në 6 dhjetor. PD kishte harruar që kishte kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor pasi nuk ishte mbledhur për muaj me radhë. Sa herë të ketë një kërkesë nga PD ne do ta ngrejmë. Dakordësuam precedentin parlamentar në rastin e një komisioni të drejtuar nga Pollo. Pra kur ka 2 muaj që i ka mbaruar mandati... PD bashkë me LSI të sjellin në formën siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji kërkesën përsëri, me qëllim që të vijojë procesi hetimor siç e duan ata. Por në asnjë rast, qoftë Kushtetuta, qoftë ligji për komisionet hetimor, Rregullorja e Kuvendit nuk do të shkelet nga ana jonë se PD ishte në gjumë për dy muaj me radhë. Apeli im ka qenë, mqs nesër ngrejmë një tjetër komision hetimor të kërkuar nga Meta, kjo çështje të ndiqet, të hetohet sa më shpejt. Në 5 vitet e fundit i vetmi komision që ka dalë me raport është një i drejtuar prej nesh", tha Balla duke iu referuar komisionit hetimor parlamentar për CEZ-in.

Recommended