Shtyhen edhe 3 muaj hetimet per Tahirin
  • 5 years ago
Prokuroria Krimeve të Rënda shtyu me 3 muaj të tjerë hetimet për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky është vendimi i marrë nga grupi hetimor ku janë të renditura arsye pse prokuroreve u duhet më shumë kohë për këtë dosje.

Sipas Prokurorisë, nga hetimi i deritanishëm ka dyshime të arsyeshme se Saimir Tahiri, në kohën që drejtonte Ministrinë e Brendshme, ka ndihmuar grupin e Habilajve në trafikun e kanabisit. Duke qenë se Tahiri i ka kushërinj vëllezërit Habilaj, ata janë mbështetur nga ai.

Hetuesit kanë argumentuar në vendim se janë në pritje të disa provave që priten të vijnë nga Mali i Zi, aty ku është dërguar një letër-porosi. Gjithashtu në 31 Dhjetor 2018, autoritetet italiane kanë sjellë përgjigje për informacionin e kërkuar nga ata.

Por këto të dhëna janë duke u përkthyer nga Prokuroria dhe ende nuk janë administruar në dosje. Për këto dy arsye, Prokuroria vendosi të shtyjë afatet hetimore për të katërtën herë. Prokuroria e akuzon Tahirin edhe për korrupsion, pasi dyshohet se ka përfituar dhurata nga vëllezërit Habilaj.

Ndërsa Prokuroria Shqiptare heton ende, ajo e Antimafias së Katanias, në 15 Mars të vitit të kaluar, pas 5 muajsh hetime i kërkoi gjykatës pushimin e hetimeve ndaj ish-Ministrit, pasi nuk gjeti asnjë provë që e lidhe atë me grupin e Habilajve. 10 ditë më parë, Prokuroria dërgoi për gjykim 9 pjesëtarë të këtij grupi, mes tyre drejtuesi Moisi Habilaj dhe Nazer Seiti, financieri i grupit.
Recommended