Report TV - Elbasan, Range Rover-it i shosh nga plumbat, ekzekutohen 3 persona në sy të familjarëve

  • 5 years ago
ELBASAN-  Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku 3 persona kanë humbur jetën mes tyre edhe një i huaj. Drejt tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Report Tv ka mësuar i huaji është me kombësi turke, i identifikuar si Erdal Durunay, 51 vjeç. Dy shqiptarët e vrarë janë Endrit Alibej 34 vjeç, dhe Arben Dylgjeri, 56 vjeç, të dy kushërinj me njëri-tjetrin. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh, ku një makinë ka qëlluar drejt 3 të vrarëve. Tre personat kanë qenë në një makinë Range Rover me targa rumune dhe janë qëlluar në prani të familjarëve të tyre. Në 3 makinat ndodheshin 5 gra dhe 3 fëmijë. Viktimat u qëlluan me kallashnikov dhe me plumbat në kokë. Pas të shtënave, automjeti ku ndodheshin shqiptarët bashkë me të huajin, ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me rrethimin e një restoranti. Makina që i qëlloi mësohet se është larguar drejt Peqinit. Dyshohet se atentati lidhet me përplasjen e bandave në qytetin e Elbasanit dhe prishjen e pazareve të drogës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 3 të vrarët janë kthyer pak ditë më parë në Shqipëri pasi ndodheshin jashtë vendit. Njëri nga shqiptarët ka jetuar në Angli, tjetri në Holandë. Pak orë më parë, Report Tv publikoi edhe një lajm lidhur me tentativën e rrëmbimit të biznesmenin Aurel Guni, por sipas burimeve, këto ngjarje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. (LEXO KËTU). Drejt Elbasanit janë nisur forca të shumta policore si edhe Forcat RENEA, bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Recommended