Report TV - Rama shoqëron Lleshin në Ministrinë e Brendshme

  • 6 years ago
Sandër Lleshi është zyrtarisht ministër i komanduar i Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme fillimisht ka emëruar Sandër Lleshin në postin e zv/ ministrit të Brendshëm, ndërsa më pas Rama e ka komanduar në drejtimin e këtij dikasteri në vendin e Fatmir Xhafajt. Pas vendimit në mbledhjen e qeverisë, Rama ka publikuar një foto me ministrin e ri të komanduar, ndërsa e ka shoqëruar me një status ?Me drejtuesin e ri të Punëve të Brendshme, gjeneral Sandër Lleshin, pas mbledhjes së qeverisë që vendosi emërimin e tij zv.Ministër i Brendshëm?.

Pas mbledhjes së qeverisë, Rama ka preferuar që ta shoqërojë vetë Sandër Lleshin në ministrinë e Brendshme në prezantimin me stafin. I pranishëm ka qenë edhe ish-ministri Xhafaj për ti dorëzuar detyrën, ndërsa nuk ka preferuar që të bëjë asnjë koment në momentin që është ngjitur në institucionin që drejtoi deri ditën e djeshme.

Prezantimi po bëhet me dyer mbyllura, ndërsa të pranishëm janë edhe katër zv/ ministrat e Brendshëm dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Aktualisht, zyrtarisht janë pesë zv/ ministra të Brendshëm; Romina Kuko, Rovena Voda, Besfort Lamallari, Julian Hodaj dhe Sandër Lleshi, që do të jetë i parë dhe i komanduar ministër.

Lëvizja e kryeministrit erdhi pas vendimit të Presidentit për të refuzuar dekretin për gjeneralin. Nisur nga situata e krijuar, Rama e emëroi zv/ ministër dhe e komandoi duke nxjerrë jashtë loje kreun e shtetit. Presidenti u shpreh dje se nuk do të lejonte përpjekje sfiduese, ndërsa tashmë pritet që kush do të jetë reagimi i Ilir Metës, që aktualisht ndodhet në një vizitë zyrtare në Itali.

Recommended