Report TV - Greqia liron biznesmenin Edmond Bego, Interpol Roma: Nuk është në kërkim

  • 6 years ago
Autoritetet greke lënë të lirë biznesmenin shqiptar Edmond Bego, arrestuar pak ditë më parë teksa kthehej nga pushimet në Korfuz, për llogari të shtetit italian. Report Tv dhe Shqiptarja.com kanë siguruar dokumentin e lirimit të policisë greke, që tregon se sot më 22 gusht Bego është lënë i lirë.

Kujtojmë se një ditë më parë, ishte Interpol Roma ajo që i dërgoi një letër Interpol Athinës për të vërtetuar se shqiptari Edmond Bego nuk kishtë asnjë çështje të hapur në shtetin italian. Report Tv ka mundur gjithashtu të sigurojë edhe dokumentin që Interpol Roma i ka nisur Interpol Athinës një ditë më parë, ku sqarohet se Bego nuk ka asnjë çështje të hapur me drejtësinë italiane.

Në dokument specifikohet qartë se biznesmeni shqiptar nuk është në kërkim nga asnjë agjenci italiane. Ky dokument rrjedhimisht çoi drejt lirimit njeriun që trazoi për pak ditë politikën shqiptare. Opozita akuzoi deputetin socialist Taulant Balla se e kishte begon ortak biznesi, por ky i fundit ndonëse pranoi njohjet familjare me të, u shpreh se Bego nuk ka pasur kurrë, mburojë politike. Një ditë më parë Balla paralajmëroi se kjo çështje e trumbetuar me të madhe nga opozita do dilte një blof si në rastin e "Babales".

Biznesmeni i fushës së ndërtimeve, pronar i një lokali në kryeqytet, 48-vjeçari Edmond Bego e ka kryer dënimin e shtetit italian për akuzat e pjesëmarrjes dhe krijimit të organizatave kriminale, kontrabandës dhe trafikimit të drogës, heroinë dhe kokainë, në Shqipëri. Ai u arrestua në vendin tonë në vitin 2009 dhe në 15 shtator 2010, gjyqtari i Gjykatës së larë Fatos Lulo vendosi ta dënojë me 4 vite e 4 muaj burg. Pikërisht këtë fakt ua ka bërë të ditur vetë Bego policëve të Igumenicës kur e arrestuan.

Recommended