Banorët e Vunoit denoncim në Report TV, të frikësuar nga vjedhja e banesave, në 2 muaj 15 grabitje

  • 6 years ago
Në kulmin e sezonit turistik, vjedhja e banesave në fshatin Vuno pranë Bashkisë së Himarës është shndërruar në një problem serioz për qytetarët. Ata denoncojnë në "Report Tv" këtë situatë, teksa bëjnë të ditur se brenda 2 muajve në Vuno janë vjedhur mbi 15 banesa nga një grup hajdutësh që policia ende nuk e ka kapur.

Sipas banorëve, kjo situatë ka ngjallur frikë kryesisht tek të moshuarit, të cilët nuk dalin nga banesat nga frika se mos u vjedhin shtëpinë. Vjedhja e fundit në Vuno, sipas dëshmive të banorëve të zonës ka ndodhur ditën e djeshme.

Edhe pse gjatë sezonit veror Komisaritatit të Himarës i janë shtuar forca të tjera policore, që patrullojnë përgjatë gjithë zonës së bregdetit, situata e grabitjeve mbetet shqetësuese. "Report Tv" ka kontaktuar me përfaqësues të Policisë në Himarë dhe në Drejtorinë e Policisë Vlorë, të cilët kanë pranuar situatën problematike, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të grabitjes, pasi bashkëpunimi me policinë do t?i vijë në ndihmë uniformave blu edhe për kapjen ose identifikimin e autorëve.

Sipas policisë, në mjaft raste qytetarët i neglizhojnë denoncimet për vjedhje në polici, duke mos pasur besim te zbardhja e këtyre ngjarjeve. Por banorë të zonës nga ana tjetër shprehen se i kanë bërë denoncimet në polici, por grabitësit nuk janë kapur dhe situata e vjedhjeve vijon po njësoj.

Dyshohet se grabitësit janë banorë të zonave ku kryejnë vjedhjet, pasi ata i studiojnë lëvizjet e qytetarëve për të gjetur momentin e përshatshëm të grabitjes kur në shtëpi nuk ka njeri.

Recommended