Report TV - Shifrat/ 2 mijë raste në 8 muaj, dhuna në familje nga ekonomia, bixhozi e tradhtia
  • 6 years ago
Tiranë- Në 8 muaj rreth 2 mijë gra kanë denoncuar dhunën e ushtruar nga burrat. Duke iu referuar të dhënave të Policisë shqiptare janë identifikuar rreth 2 mijë raste të dhunës në familje. Më shumë se 1600 urdhra mbrojtje të menjëhershme janë lëshuar për rastet e dhunës.

Kryesisht janë gratë që kërkojnë urdhër mbrojtje nga burrat, pasi këta të fundit kanë ushtruar dhunë fizike ose psikologjike. Por në disa raste të tjera edhe vajzat kërkojnë urdhra mbrojtje nga babai.

Shkaqet e dhunës në familje janë për disa arsye, ku më kryesori mbeten kushtet ekonomike. Pjesa më e madhe e denoncimeve për dhunën në familje përfshijnë shkaqe për mungesë të ardhurash, humbjen e lekëve bixhoz, por edhe tradhtinë.

Por shqetësimi më i madh për Policinë, mbetet fakti se shumë gra tërhiqen nga denoncimi për dhunën në familje, disa herë në komisariat ose para gjykatës. Kjo bën që shumë burra të cilët dhunojnë gratë të mos dënohen.

Por denoncime për dhunën në familje nuk bëjnë vetëm gratë. Sipas të dhënave nga Policia janë 3 raste në Shqipëri kur burrat kanë kërkuar urdhër mbrojtje nga gratë.


Kodi Penal parashikon dënim deri në 3 vite burg për rastet e dhunës në familje, ku në shumicën e rasteve ata që janë dënuar kanë qene burrat.
Recommended