Kapen mbi 1.4 ton kanabis dhe 16 arme zjarri

  • 6 years ago
Mbi 1.4 ton kanabis dhe një arsenal armësh, në mesin e të cilave edhe një snajper, janë sekuestruar nga policia në Memaliaj.

Droga dhe armët u zbuluan në dy furgonë Mercedez Benz, që ishin fshehur në afërsi të fshatit Leshnje në një zonë mes shkurresh e pemësh pranë shtratit të lumit Vjosa. Ato ishin të mbyllur me çelës dhe me targa të falsifikuara.

Pikërisht brenda këtyre dy furgonëve, autoritetet gjetën plot 16 armë zjarri; 1 snajper, 12 kallashnikovë, 2 pushkë dhe 1 armë gjahu, si dhe 1 ton e 463 kilogramë kanabis, e cila ishte e prodhuar më herët dhe një pjesë ishte ngurtësuar drejt dekompozimit.

"Si rezultat i presionit të kontrollit të ushtruar javët e fundit në atë territor nga shërbimet e Policisë për evidentimin e  personave që mund të mbajnë armë e lëndë narkotike me qëllim trafikimin e saj, personat që dispononin lëndën narkotike dhe armët e zjarrit i kanë fshehur në pyll me qëllim shmangies së kontrollit. Operacioni ndiqet me metoda speciale dhe për këtë arsye nuk mund të jepen të dhëna të tjera", sqaron policia në një njoftim të sajin.

Hetimet e mëtejshme do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër./tvklan.al

Recommended