Vrasja e Majollarit/ Gjuzi nuk pranon të flasë, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij

  • 6 years ago
Vrasësi i dyshuar Marjo Majollarit ka kyçur gojën para Policisë. Kastriot Gjuzi pavarësisht insistimit të hetuesve, ka refuzuar të flasë për vrasjen e Marjo Majollarit 10 ditë më parë, krim për të cili ai është i dyshuari kryesor. Gjuzi është sjellë nën masa të rrepta sigurie në Policinë e Tiranës, ku në dy tentativa, policia e ka pyetur për vrasjen dhe se ku ka qënë natën që ndodhi ngjarja, por ai ka refuzuar të flasë. Burime nga Policia e Tiranës thanë për Report TV se Gjuzi ka konfirmuar vetëm identitetin e tij, ndërkohë që kur u pyet për vrasjen ka zgjedhur të heshtë.

Policia e Tiranës thotë se Kastriot Gjuzi u ndihmua nga një person tjetër për të kryer vrasjen. Ky person e ka ndihmuar për tu larguar nga zona e Kinostudios dhe më pas në drejtim të Morinës. Ky person ende nuk është identifikuar nga Policia.

Arratisja ilegale në Kosovë

Ndërkohë është zbuluar edhe mënyra se si Kastriot Gjuzi kaloi kufurin drejt Kosovës. Ai ka ecur në këmbë pranë disa kodrave pranë pikës kufitare të Morinës, derisa ka dalë në territorin kosovar. Më pas është pikasur nga Policia kufitare e Kosovës dhe Kastriot Gjuzi ka thënë një emër tjetër. Por 40 vjeçari është zbuluar pasi me vete mbante kartën e tij të identitetit. Një detaj që ka sjellë menjëherë arrestimin nga ana e Policisë së Kosovës dhe dorëzimin te homologët shqiptarë.

Grupi hetimor deri më tani nuk ka prova të mjaftueshme për ta lidhur Kastriot Gjuzin me vrasjen e Mario Majollarit. Për këtë arsye po kërkohet në disa banesa në Tufinë dhe Dajt arma me të cilën u vra Majollari. Dyshohet se pistoletën e ka fshehur personi i cili ndihmoi Kastriot Gjuzin.

Gjuzi pritet që të dalë ditën e shtunë para Gjykatës për t?u njohur me masën e sigurisë, pasi akuzohet për vrasjen e Marjo Majollarit mbrëmjen e 10 prillit në Tiranë.

Recommended