Fleckenstein takime me Ramën, Metën e Bashën - News, Lajme - Vizion Plus

  • 8 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Eurodeputeti Knut Fleckenstein ka nisur takimet me krerët më të lartë të politikës shqiptare, në përpjekjen e fundit për të bindur klasën politike të votojë më 21 korrik reformën në drejtësi. Eurodeputeti, i shoqëruar nga ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin, mësohet se mëngjesin e së hënës është takuar me kryeministrin Rama, me të cilin ka biseduar mbi fatin e kësaj reforme. Më pas, ai ka zhvilluar një takim me kreun e Kuvendit Ilir Meta, në zyrën e këtij të fundit, me qëllim e vetëm për ta bindur që LSI të votojë në seancën e së enjtes ndryshimet kushtetuese. Pas selisë së Kryesisë së Kuvendit, Flenckenstein është drejtuar në selinë e PD-së, ku është takuar me kreun e kësaj force politike Lulzim Basha. Megjithëse nuk janë bërë të ditura detaje mbi bisedat me tre politikanët kryesorë në vend, eurodedeputeti gjerman, ka ripërsëritur rëndësinë e kësaj reforme për procesin e integrimit europian të vendit. Të shtunën e kaluar, Fleckenstein së bashku me eurodeputetin e djathtë Eduard Kukan, përmes një mesazhi drejtuar politikës shqiptare apeluan për miratimin e reformës. Dy eurodeputetët, inkurajuan kontaktet mes politikanëve shqiptarë për arritjen e një marrëveshjeje politike. Ata shprehën keqardhjen që propozimi i faktorit ndërkombëtarë nuk është pranuar. Po ashtu, theksuan mbështetjen për rolin që ndërkombëtarët do të luajnë në procesin e kontrollit të gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri.

Recommended