A1 Report - Avioni ne Divjake, piloti italian e trafikanti shqiptar, sot ne gjyq

  • 9 years ago
TIRANE -- Piloti italian dhe shqiptari, të vënë nën akuzë për tentativë të trafikimit të drogës në bashkëpunim, "përballën" sot me drejtësinë për tu njohur me masën e sigurisë. Ata kanë mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku pritet të jepet masa për Giorgio Riformato 67 vjeç dhe Saimir Bajramin 35 vjeç të arrestuar të shtunën (10 Maj) në zonën e Divjakës ku u bllokua nga Policia e Shtetit një avion tip "Piper" i pilotuar nga italiani dhe pranë tij makina Mitsubushi me 460 kilogramë drogë e drejtuar nga shqiptari.

Seancat gjyqësore do të zhvillohen veçmas, ndërsa seancën do ta ndjekin edhe përfaqësues të ambasadës italiane në Shqipëri.

Vendimi për zhvillimin e seancës të martën në mëngjes është vendosur nga administrata e Gjykatës së Krimeve të Rënda pas kërkesës për vlerësim të arrestit dhe vendosjen e masës shtrënguese "arrest me burg" bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.Seanca e të martës do të drejtohet nga gjykatësi Idriz Milkurti, ndërsa akuza do të përfaqësohet nga prokurorja Dolorez Musabelli.

Sajmir Bajarami ka pranuar para hetuesve se droga do të ngarkohej në avion për tu transportuar drejt shtetit fqinj, dhe se piloti italian do të merrte 27 mijë euro, shumë e sekuestruar nga policia gjatë operacionit të së shtunës. Por nga ana tjetër, vetë piloti italian, Giorgio Riformato nuk ka pranuar asnjë nga akuzat. Sipas tij ai është gjendur në Shqipëri si turist për të vizituar bregdetin shqiptar.

Riformato është ngritur në fluturim nga Rinasi në orën 13:56 të së shtunës, dhe sipas tij do të kryente një eksplorim të bregdetit shqiptar nga ajri, dhe më tej do të nisej drejt Italisë. Por shkëputja për rreth 20 minuta me Kullën e Vrojtimit, ka shënuar dhe momentin e rënies së avionit në zonën e Divjakës në orën 14:40. Sipas piltotit italian ulja ka qenë e detyrueshme për shkak të një avarie.