Kontrolli i barnave/ Doktor Besnik Jakaj i LSI: Rama gënjeu shqiptarët dhe fyu farmacist e mjek

  • 3 years ago
Anëtari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në LSI, Besnik Jakaj akuzon kryeministrin Rama dhe ministren Manastirliu se gënjyen kur deklaruan se në Shqipëri nuk bëheshin më parë analiza të barnave dhe pajisjeve mjekësore.

Sipas tij, ishte qeveria që në 2014 largoi kompani farmaceutike për interesa klienteliste. Jakaj kërkon të bëhen transparente të dhëna për sigurinë e barnave në vendin tonë.

Jam sot përpara jush për të denoncuar mashtrimin e radhës të Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë znj. Manastirliu para 2 ditëve gjatë rikonstruksionit  të godinës së Agjencisë Kombëtarë të Kontrollit të Barnave dhe pajisjeve mjekësore. Ky mashtrim i hapur në rikonstruksionin e një godine i Kryeministrit dhe i Ministres është një turp i madh që bën qeveria e rilindjes duke abuzuar dhe gënjyer hapur se në Shqipëri nuk bëheshin më parë analizat e barnave dhe pajisjeve mjekësore.

Siguria e barnave të nderuar qytetarë është shkencë e bazuar në regjistrimin, analizimin dhe monitorimin e sjelljes së tyre në tregun farmaceutik. Nuk është fasadë. Nuk është pllaka, zyra, salla konferencash apo zyrë drejtorësh. Me këtë mashtrim të jashtëzakonshëm që bëri publikisht Kryeministri i Shqipërisë dhe Ministria e Shëndetësisë duke gënjyer hapur qytetarët për një fakt që nuk ekziston kanë fyer profesionistët e shëndetit, farmacistët, mjekët, laborantët, kimistët që kanë vite që punojnë me përkushtim, ndershmëri në fushën e sigurisë së barnave.