Vdes një 71-vjeçar nga Durrësi, 31 raste të reja, infektohen punonjëse fasonerie, 33 të shëruar

  • 4 years ago
TIRANE-Shkon në 36 numri i viktimave nga COVID-i në Shqipëri. Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 71 vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej më shumë se dy javësh. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 300 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 31 raste pozitive, 13 më pak se dje, pjesa më e madhe kontakte familjare të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka disa raste të reja në proces hetimi në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë.

Shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 8 raste në Tiranë, 6 në Pukë, 5 në Shkodër, 5 në Vlorë, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Elbasan, dhe 1 rast në Lushnje.
Lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të prekurve nga Covid19. Janë shëruar 33 qytetarë. Aktualisht në spitalin infektiv po marrin sherbim 48 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive. Në vendin tonë janë aktualisht 346 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bërhi thirrje qytetarëve për ndërgjegjësim, "të jemi më të kujdesshëm për shëndetin tonë dhe të afërmve tanë ndaj Covid19, të respektojmë distancimin fizik jo më pak se 1.5 m, aty ku nuk është e mundur të respektohet të përdoret maska mjekësore, të evitojmë grumbullimet masive, në ceremoni festive, mortore, fetare, të evitojmë kontaktet, dhënien e duarve dhe përqafimeve, të respektojmë higjenën respiratore, kollitje e teshtime të kryhen në këndin e brrylit dhe të gjitha masat duhet të kombinohen me higjienën e larjes së duarve. Është shumë e rëndësishme që në këtë luftë kundër Covid 19 të jemi të gjithë bashkë".

Recommended