Apeli vendos sot! Tahiri 131 faqe mbrojtje, prokuroria nuk tërhiqet nga kërkesa për 12 vite burg!
  • 4 years ago
TIRANE-Prej orës 10:00 në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Krimet e Rënda dhe Korrupsionin vijon seanca gjyqësore kundër ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri pas pezullimit dhe shtyrjes disa herë për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi prej marsit të këtij viti. Seanca pritet që të jetë maratonë dhe në fund pritet që të ketë një vendim për Saimir Tahirin.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta mëson se prokuroria e përfaqësuar nga Vladimir Mara dhe Dritan Prenci nuk tërhiqen nga akuzat dhe dënimi 12 vite që kërkoi në Shkallën e Parë. Saimir Tahiri dhe avokati i tij Maks Haxhia ka përgatitur një mbrojtje prej 131 faqesh.

Edhe në Apel, ashtu si te shkalla e parë nuk kanë munguar edhe detajet, ku Tahiri ka shpjeguar në një tabelë argumentet se përse pretendon pafajësi. Në seancë të pranishëm ashtu si herët e kaluara janë edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së për të ndjekur procesin gjyqësor.

Por si arriti Tahiri në Apel? Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u vu nën akuzë pas arrestimit të grupit ?Habilaj? ndërsa që në fillim ai pretendoi pafajësi duke e quajtur një proces farsë me prova të montuara.

Në shtator të vitit të kaluar ish-Prokuroria e Krimeve kërkoi dënimin e tij me 12 vite, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar shkonte 8 vite, por  gjykata e dënoi Tahirin me 3 vite burg me shërbim prove. Të dy palët nuk u kënaqën duke e apeluar vendimin, prokuroria që nuk tërhiqet nga kërkesa për dënimin e tij me 12 vite, ndërsa ish-ministri kërkon pafajësi të plotë. Në seancë për herë të parë pas vetëdorëzimit është i pranishëm edhe Jaeld Çela.
Recommended