5 maji historik nën 'frikën' e COVID/ Meta, Ruçi e Rama të distancuar, kurore me lule për dëshmorët

  • 4 years ago
TIRANË- Dita e Dëshmorëve të Atdheut është përkujtuar sot ndryshe nga e kaluara, ku të pranishëm kanë qenë vetëm figura politike, në mungesë të veteranëve dhe të familjarëve të tyre. Me ceremonira të thjeshta, pa pompozitet për shkak të koronavirusit, krerët e institucioneve më të larta në çdo qytet të Shqipërisë, kanë vendosur kurora dhe buqeta me lule në këtë 5 maj të shënjuar në nder të atyre që dhanë jetën për liri.

Sot, presidenti Ilir Meta, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama janë bërë bashkë, por të distancuar ku janë përulur dhe kanë vendosur kurora lule pranë monumentit ?Nëna Shqipëri?. Kryedemokrati Lulzim Basha ka zgjedhur që edhe në këtë ditë të jetë i veçuar nga pjesa tjetër e politikanëve. Ai ka mbërritur te varrezat e Dëshmorëve rreth orën 09:30, dhe ka vendosur lule në varreza të dëshmorëve, mes tyre edhe te Azem Hajdarit, kapitenit Feti Vogl, si edhe  te varri i Skerdilajd Llagami, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës.

30 minuta më pas kanë mbërritur krerët e lartë të institucioneve. I pari ishte presidenti Ilir Meta, më pas kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe më pas kryeminstri Edi Rama që nderuan të rënët në luftë.

I vetmi që u prononcua për mediat ishte presidenti Ilir Meta. kryefjalë e fjalimit të tij ishte dita e dëshmorëve dhe koronavirusi, duke shmangur pyetjet mbi zhvillimet nga aktualiteti, përfshirë këtu edhe "çështjen Dvorani".

Recommended