22 vite nga sulmi me tritol, Zenepe Luka për Report TV: Si donte të më asgjësonte Berisha

  • 4 years ago
10 maj 1998 është data që ndryshoi rrënjësisht jetën e Zenepe Lukës, gazetares në 'Koha Jonë' ndaj të cilës u tentua të asgjësohet familjarisht . Kanë kaluar 22 vite që nga ajo kohë, kur në derën e shtëpisë së saj u vendos 6 kg tritol, ku përveç dëmeve të mëdha materiale, mbetën të plagosur dhe dy fëmijët e saj. Në një intervistë për Report TV, Luka shprehet se kjo është një nga ditët më të vështira të saj duke risjellë edhe njëherë një ngjarje që sipas saj ka prapavijë politike. Sulmi ka ndodhur në banesën e saj në lagjen Pavarësia në Vlorë, ndërsa thekson se nga ai sulm nuk u kërcënua vetëm ajo dhe familja e saj, por dhe fjala e lirë.

"Është një nga datat më të dhimbshme të jetës time si gazetare gjatë gjithë karrierës. Gazetare e terrenit prej 45 vitesh. Sot mbushen 22 vjet nga kjo ngjarje makabre. Isha gazetare e 'Koha Jonë' në periudhën më të dhimbshme që kaloi Vlora nga trazirat e '97. Unë mbeta e vetme në Vlorë, të gjithë gazetarët ikën, në Tiranë, ikën jashtë disa kërkuan dhe status politik. Unë qëndrova sepse duhet të qëndroja. Kur gazetaria është profesion, është edhe mision dhe duhet ta bësh këtë detyrë, pavarësisht nga situatat dhe pasojat. Ishte një periudhë e vështirë, për vetë klimën kriminale dhe pasojat që pati ajo pranverë e përgjakur. Ta bësh detyrën dhe të japësh kronikën e ditës mes bandave , plumbave dhe turmën e irrituar sinqerisht ishte guxim. Nuk jam penduar kurrë për atë që bëra, ishte detyra ime si gazetare", tha Luka

Recommended