3 nismat e reja, policia përgjime pa vendim prokurori, neni i ri në Kodin Penal që godet mafien
  • 4 years ago
Maxhoranca socialiste do të miratojë me procedurë urgjente tre nisma të reja ligjore, të cilat parashikojnë harmonizimin e legjislacionit, për zbatimin me sa më efikasitet të aktit special normativ të qeverisë, për goditjen e njerëzve të krimit, përmes bllokimit të pasurive, izolimit fizik dhe sanksioneve ekonomike. Nisma e parë ndryshon Kodin Penal, duke shtuar një vepër të re penale, atë të përdorimit nga njerëzit e krimit të pasurive që u janë konfiskuar. Kushdo që mban apo përdor pasuritë e sekuestruar, në mënyrë të pajustifikuar, do të dënohet nga tre deri në shtatë vjet burg. Me sa duket, qeveria dhe parlamenti kërkojnë të adresojnë një problematikë, kur kokat e trafiqeve dhe krimit, përdorin sërish pasuritë që u janë konfiskuar.

Nisma e dytë ndryshon ligjin për Policinë e Shtetit, duke përfshirë Komitetin Kombëtar i Politikave për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar, i cili bashkë me Operacionin Forca e Ligjit janë ngarkuar për zbatimin e ligjit anti-krim. Nisma ndryshon edhe nenin 131 të ligjit në fuqi për policinë, duke i dhënë kompetencë policisë përgjimin dhe survejimin pa vendim të prokurorit, në kuadër të masave të veçanta anti-krim. Konkretisht, gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese, policia përgjon bisedar e personave në ambiente publike si dhe në mjete të transportit publik; përgjon bisedat telefonike, mbikëqyr në mënyrë të fshehtë personat e dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale si dhe përdor pajisje teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes. Përdorimi i këtyre masave të veçanta, bëhet me vendim të miratuar nga titullarët e strukturave të policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore. Rregullat dhe procedurat që zbatohen për përdorimin e masave do të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe kreut të SPAK-ut. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i SPAK-ut, mund të kontrollojnë, në çdo kohë, zbatimin e rregullave dhe të procedurave të parashikuara në udhëzimin për masat e posaçme.
Recommended