Tronditet CDU, dorehiqet kryetarja Karrenbauer

  • 4 years ago
Kryetarja e Kristian-demokratëve Annegret Kramp-Karrenbauer heq dorë nga posti i më i lartë në parti dhe nga ambicia për të kandiduar si pasardhëse e kancelares Angela Merkel.

Vendimin e saj e bëri publik këtë të Hënë, teksa ajo është përballur ditët e fundit me akuza të shumta për dështim në drejtimin e partisë.

Shkak duket se është bërë rasti i bashkëpunimit të disa deputetëve të partisë së saj me radikalët e djathtë të Alternativës për Gjermaninë në Tyringji, ku së bashku zgjodhën kryeministër të këtij shteti federal, politikanin liberal-demokrat Thomas Kemmerich.

Kjo lëvizje shkaktoi furtunë në opinionin publik që kritikoi ashpër CDU-në.

Lideri rajonal i Alternativës për Gjermaninë, Bjern Heke është etiketuar si ?fashist? në një vendim gjykate gjermane ndaj tij.

Mes partive politike gjermane ekziston një marrëveshje e pashkruar për të mos bashkëpunuar me radikalët e djathtë të Alternativës për Gjermaninë, që vitet e fundit po konsolidohet si forcë e tretë politike në vend.

Karrenbauer tha se nuk pajtohej me vendimet e disa deputetëve të partisë së saj në rangjet rajonale për të bashkëpunuar si me partitë radikale si të djathta ashtu edhe të majta.

E zgjedhur në dhjetor të 2018-ës pas dorëheqjes së Angela Merkelit nga kryesimi i CDU-së, ajo është përballur shpesh me kritika brenda partisë për rezultatet gjithnjë e më të dobëta në zgjedhjet e kohëve të fundit lokale e rajonale.

Dorëheqjen tha se do t?a zyrtarizojnë në kongresin e kristian-demokratëve që pritet të zhvillohet gjatë verës, ndërsa Merkel tha se ajo mund të qëndronte në postin e ministres së mbrojtjes.

Tv Klan

Recommended