Sekretet e Brikena Bërdos për stilin unik të veprave të saj: Arti im është dhoma sekrete e memories

  • 4 years ago
TIRANË- Të rritesh dhe ta shohësh botën kokëfortësisht me syrin e një fëmije si Brikena Bërdo, në këndvështrime të përmbysura përjetimesh, dhe ta shpallësh gjithçka që ndjen thellësive të shpirtit në një vepër arti, kërkon shumë guxim.

Me talentin që spikati që në bankat e Liceut Artistik në Tiranë, piktorja Brikena Bërdo, që kritika e ka përcaktuar si një ndër përfaqësueset e artit postavangdardës në Shqipëri, e lë tablonë e bardhë të pres; nëse fenomeni nuk rroket vetvetiu.E vetvetishmja është pikërisht caku i rrezikshëm i sfidave të saj me ngjyrat, teknikat e përsosura dhe interpretimin nëntekstual që buron prej tablosë. Brikena Bërdo ka zgjedhur të pikturojë në mënyrën e saj, pa dashur të jap shpjegime për imazhet. Arti i saj ngjizet në një vetmi sublime.

Kur sheh pikturat kupton qartë se Bërdo nuk synon asgjë përveç që të transmetojë ndjesitë, e madje duke guxuar më përtej me ndjesitë personale, e duke e marrë frymëzimin siç thotë dhe ajo vetë në dhomat sekrete të memories, Peneli i saj lëviz në rrugëzat që vetëm ajo i di, larg adhurimit të një tjetër vepre që ka shijuar diku-dikur.

Fjalëpakë, autorja e pikturave sugjestionuese për publikun dhe kritikët e artit rrëfen copëza të bukura nga jeta dhe krijimtaria, flet për edukimi me artin realist dhe daljen delikate nga kurthi i modeleve që iu servirën në bankat e liceut dhe në universitetin e arteve.

Si këto piktura, kështu është Brikena Bërdo. Në harmoni të artit të saj, edhe kjo intervistë për në Report TV është ndryshe nga të tjerat. Biseda me artisten, vjen si një përkundje nëpër përjetime të mirënjohjes që ajo ka ndaj një fuqie të mistershme që buron përtej saj, që bën gjithçka të ndodhë, të ekzistojë, me qiellin, me jeshilen dehëse të tokës, me vibrimet e ndjenjave, duke zgjuar ëndrrat aty nëpër në tablo edhe kur ato duan të arratisen...

Recommended