Vetingu rifillon me dosjen e anëtarit të KLP së që ONM kërkon përjashtimin nga drejtësia
  • 4 years ago
Procesi i Vetingut do të rifillojë në vitin 2020 me shqyrtimin e kërkesës së Komisionerit Publik për shkarkimin nga detyra të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, me pretendimin se nuk justifikon një pjesë të pasurisë. Seanca e parë do të zhvillohet paraditen e së mërkurës, 8 janar 2020, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, me trupë gjykuese të kryesuar nga Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari relator si dhe me anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo.

Prokurori Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në nëntor të vitit 2018, pavarësisht disa problematikave të konstatuara sa i përket kriterit të aftësisive profesionale si dhe dyshimeve sa i takon etikës. Më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por, përfaqësues nga SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, në janar të 2019, i rekomanduan Komisionerit Publik që të kërkonte rrëzimin e vendimit të KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Në rekomandimin e ONM, përpos të tjerave, theksohet se prokurori Cani ka tentuar të përfitojë një kredi të butë në Bashkinë e Fierit, ndërsa nuk ka hetuar ish-krybashkiakun e Fierit Baftjar Zeqo si dhe disa tendera të dyshuar si abuzivë në Elbasan.
Recommended