Report TV - Meta dekreton me rezerva buxhetin: S'po e pengoj për shkak të tërmetit

  • 4 years ago
TIRANE-Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot ligjin për buxhetin. Kreu i shtetit shprehet se ka shumë rezerva për buxhetin e 2020-tës, por për të mos penguar zbatimin e masave të menjëhershme që lidhen me riparimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 e dekretoi. Por cilat janë rezervat që ka Presidenti për buxhetin?

E ndërsa ka kritika të shumta për vitin që po lëmë pas, Meta thotë se parashikimi i rritjes ekonomike në 4.1% për vitin 2020 mbetet jo realist sepse nuk reflekton dobësitë e rritjes ekonomike për vitin 2019, si dhe efektin e shtuar nga dëmet dhe humbjet nga tërmeti. Gjithashtu Meta vijon më tej duke thënë se buxheti nuk krijon më shumë hapësirë për shpenzimet publike të cilat mbështesin rritjen ekonomike,si investimet publike apo shpenzime, si rritja e pagave, pensioneve dhe pagesave të cilat nxisin konsumin.Ai vëren edhe disa rreziqe kryesore. "Një rrezik të shtuar fiskal për shpenzimet publike për vitin buxhetor 2020 paraqet rritja e vlerës së projekteve të PPP ekzistuese dhe numrit të projekteve të reja, i rrezikut të injektimit të kapitalit për Koorporatën e Investimeve,  i financimit të humbjeve të sektorit të energjisë, si dhe rritja e kostos së borxhit publik. Një rrezik potencial është dhe vetërritja e stokut të borxhit publik për shkak të rritjes së kostos së tij, si dhe përfshirjes së plotë në llogaritje e detyrimeve të prapambetura ndaj kontraktorëve privatë për punimet e kryera, nga mosrimbursimi i TVSH,  nga detyrimi i tepricës kreditore nga tatim fitimi, të vendimeve gjyqësore vendore dhe ndërkombetare,  si dhe borxhit ndaj pushtetit vendor" shprehet Meta. Por në fund vendosi dekretimin e ligjit të buxhetit.

Recommended