Perplasje mes banoreve dhe policise te Astiri
  • 4 years ago
Ky është momenti kur banorët e zonës së Astirit iu përgjigjën me molotov e gurë punonjësve të Inspektorit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit qe nisën shembjen e objekteve që preken nga projekti i nënkalimit të Unazës së Madhe.

Një bombë me molotov shpërthen fare pranë një autobusi me pasagjerë, i cili fatmirësisht shpëton nga zjarri.

Sulmit të banorëve, policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Nga përleshja, 12 persona mbetën të plagosur, mes tyre 5 punonjës të policisë dhe 7 banorë. 8 prej tyre lanë ambientet e Spitalit të Traumës dhe vetëm 4 protestues po marrin ende ndihme mjekësore.

Fillimisht Partia Demokratike raportoi se nga përplasja një protestues kishte humbur jetën. Por fatmirësisht, asnjë nga banorët dhe efektivët e plagosur nuk pati rrezik për jetën.

Pas përplasjes në orët e para të mëngjesit, situata u qetësua dhe Inspektoriati vijoi me prishjen e 33 objekteve që preken nga projekti i përfolur për shkak se tenderi i parë u fitua nga kompania ?DH Albania? me dokumente të falsifikuara.

Shembja e objekteve i hap rrugë ndërtimit të nënkalimit tek sheshi ?Shqiponja?, një nyje që pritet të lirojë trafikun në kryeyqytet.

Nga 33 objektet që do të shemben, 21 prej tyre janë shpronësuar, ndërsa pjesa tjetër është skualifikuar nga procesi i legalizimit. Për pronarët e objekteve pa leje, Bashkia e Tiranës ka ofruar bonus qiraje për 3 vite ose banesa sociale, por kjo ofertë është refuzuar prej tyre.

Tv Klan
Recommended