Rritet siguria ne kampin e muxhahedineve ne Manze

  • 5 years ago
Forcat e sigurisë rreth kampit të muxhahedinëve në Manzë kanë rritur mbikëqyrjen.
"Në këtë kamp në Manzë jetojnë rreth 2500 muxhahedinë të përndjekur nga regjimi politik i Iranit. Vëmendja ndaj tyre u kthye pasi policia shqiptare njoftoi se ka zbuluar një celulë terroriste që po përgatitej për sulme ".
Situata e tensionuar nuk ndjehet në përditshmërinë e banorëve të kampit.
"Jemi në hyrje të kampit të muxhahedinëve, pranë monumentit që për ta simbolizon luftën për të sjellë demokraci në vendin e tyre. Pavarësisht situatës, jeta në kamp është e qetë dhe vijon normalisht".
Po pasiguria ekziston. Burime nga kampi bëjnë të ditur për Televizionin Klan se rreth 12 persona, ish-anëtarë të MEK në Shqipëri, janë rekrutuar nga regjimi iranian e jetojnë në Tiranë. Rrezikun e pohon edhe përfaqësuesi i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Këshillin Kombëtar të Rezistencës Iraniane, Ali Safavi. Ai e quan një vendim të drejtë të shtetit shqiptar dëbimin e ambasadorit iranian, por shton se në Shqipëri ka ende agjentë të Teheranit që punojnë për Ministrinë e Inteligjencës.
"Mendoj se agjentët e regjimit iranian, shumë prej tyre janë në këtë vend dhe punojnë për Ministrinë e Inteligjencës. Njohim shumë prej tyre, të cilët e quajnë veten ish-anëtarë të MEK-ut, por që janë të punësuar nga Ministria e Inteligjencës. Ata duhet të dëbohen nga Europa, por edhe nga Shqipëria, por edhe ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike iraniane duhet të mbyllen sepse ato nuk janë të angazhuara në diplomaci, por në grumbullim informacionesh për çështje terrorizmi", thotë Ali Safavi.
Dy nga pjesëtarët e celulës terroriste kanë qenë të njohur për ta.
"Ne kemi pasur informacione që dy nga emrat që drejtuesi i policisë bëri publike dje, Alireza Nahbarzadeh dhe Malik Zadeh. I njihnim dhe kemi bërë paralajmërime se regjimi iranian po përdor një rrjet, në përpjekje për të grumbulluar informacione dhe për të planifikuar sulme terroriste jo vetëm kundër lëvizjes tonë, por në përgjithësi në Europë", shton Safavi.

Recommended