Basha: Negociatat, pergjegjes kryesor eshte Rama

  • 5 years ago
Përgjegjës për moshapjen e negociatave me Bashkimin Europian, Lulzim Basha thotë se nuk janë vendet e unionit, por kryeministri Rama, duke paralajmëruar mbylljen e dyerve për herë të katërt për Shqipërinë.

?Është bërë kaq i parashikueshëm, sa fjalimin që ja parashikova para dy muajsh, sapo e mbajti në Parlament. Fajtorë do të jetë çdokush, do të jetë opozita, do të jeni ju mediat, do të jetë Europa, do të jenë partitë politike europiane, i vetmi person që nuk do të ketë asnjë përgjegjësi për këtë faj, do të jetë vetvetja. E vërteta është se përgjegjësinë për dështimin për herë të katërt për hapjen e negociatave e ka Edi Rama dhe askush tjetër. Është dështimi i tij personal. Nëse do të ishte i vërtetë mashtrimi, që këto vende do të ishin kundër integrimit, pse ata i thonë ?PO? Maqedonisë dhe ?JO? Shqipërisë. Arsyeja është se Rama ka dështuar në të gjitha fushat, ku Shqipërisë i është kërkuar progres. Edhe sot i iku përgjegjësisë për krimin, drogën, blerjen e votave, për mbrojtjen e kriminelëve nga Pjetri te Kajmaku, duke i ikur përgjegjësisë për mbrojtjen që ju bën personave në listën e zezë të SHBA, si Tom Doshi. Cili nga nëntë kushtet reflekton probleme imagjinare të politikës së brendshme gjermane? Cili nga dy kushtet e reja, arrestimi dhe procedimi i personave të kapur duke vjedhur votat, është përgjegjësi e politikës gjermane??

Për daljen nga kriza i kujtoi 9 kushtet e Bungestagut Gjerman mbi bazën e të cilave tha se opozita ka hartuar edhe propozimin e saj për reformën zgjedhore.

?Ne kemi propozuar një plan të qartë që i hap rrugë reformës zgjedhore dhe 9 kushteve të Bundestagut. E përsëris, plani është mbi tavoline, jo për hirin tim, ta zbatojë ose të hapë krahun.?

Kryeministri paralajmëroi se do ta miratojë me opozitën parlamentare reformën zgjedhore duke refuzuar propozimin e opozitës, por Lulzim Basha i kujtoi sërish kushtet e Bundestagut.

?Si do ta bëjë Rama reformën zgjedhore pa opozitën? E keni në kushtet e Budestagut. Vetëm në mendjen e një njeriu që nuk e do integrimin europian, që do që të fshihet prapë për dështimin tjetër të radhës për hapjen e negociatave, mund të thotë ?e marr dhe e bëj vetë? reformën zgjedhore. Me kë do ta bëjë? Me Tom Doshin do ta bëjë? Me Vangjush Dakon? Me Avdylajt? Me Ymer Lalën? Me Jurgis Çyrbjen? Për kë bëhet reforma zgjedhore? Që kriminelët të vazhdojnë të jenë në parlament e të vazhdojnë të marrin vendime në emër të shqiptarëve, të vazhdojnë të grabisin pasurinë e shqiptarëve, bregdetin e shqiptarëve, pyjet, guroret, mineralet, naftën, tokat, taksat, tenderat, koncesionet??

Një postim në rrjetet sociale i kreut të demokristianëve, Nard Ndoka, i erdhi në ndihmë për t?iu kundërpërgjigjur deklaratës së bërë nga kryeministri për propozimet e reformës zgjedhore.

Për Lulzim Bashën ky është një shans i fundit edhe për socialistët, për daljen nga kriza politike, në adresë të të cilëve ka bërë jo pak thirrje ditët e fundit.

Tv Klan

Recommended