Nje termet i fuqishem godet Shqiperine

  • 5 years ago
Shqipëria u godit nga një prej tërmeteve më të forta të tre dekadave të fundit.
Ka qenë ora 16:04 kur një tërmet i magnitudës 5.8 i Shkallës Rihter dhe intesitet 7.5 ballë shënoi goditjen e parë në detin Adriatik, në Porto Romano, 1 km larg bregut.
Goditja e parë u pasua me një tjetër me intesitet 5.3, vetëm 11 minuta më vonë. Tre lëkundje të tjera u regjistruan në një hark kohor prej 2 orësh.
Ato u ndjenë të forta në Tiranë e Durrës, por dhe qytetet e tjera si dhe në shtetet fqinje, si Greqia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Italia.
Tërmeti shkaktoi vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht asnjë viktimë. Në qendrën e Traumës janë afro 50 të lënduar. Një pallat në qytetin e Durrësit ka marrë dhe dëmtimet më të mëdha.
Dëme të ndjeshme ka patur dhe në godinën e Fakultetit Gjeologjik në Tiranë. Paniku tek qytetarët ishte i madh. Të gjitha rrugët dhe sheshet e qyteteve u mbushën me njerëz të frikësuar që u qëndronin larg godinave.
Dëme të konsiderueshme janë konstatuar dhe në një pallat në Don Bosko në kryeqytet dhe një tjetër në zonen e njohur si Farmacia 10.
Dëmtime pësoi edhe vetë ndërtesa e Kryeministrisë, me plasaritje të murit nga ana e ish-Ministrisë së Financave.
Tërmeti ndërpreu edhe ndeshjen e Partizani-Bylisi që kishte nisur vetëm pak minuta përpara goditjes sizmike.
Emergjencat Civile thonë se po punojnë me shtabet e emergjencave dhe 12 prefekturat në vend. Ekipet e emergjencave dhe policia janë në gatishmëri, ndërsa autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve që të mos futen në banesat e tyre, nëse ato janë të dëmtuara.

Recommended