Tregtaret: Asnje inspektor i AKU ne tregje

  • 5 years ago
E ndërsa qytetarët ndihen të pasigurtë për produktet që konsumojnë, vetë tregtarët pohojnë se në tregjet e tyre nuk zbret asnjë inspektor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të kryer analizat e produkteve ushqimore.

"Unë s'kam parë asnjë lloj inspektori të AKU-së për sa kohë jemi këtu. Prej 18 vitesh në treg s'kemi parë asnjëherë. Çdo artikull që ne tregtojmë mund të mos ketë asgjë, ose mund të ketë, por ne nuk dimë asgjë, ne marrim vetëm kupona tatimorë, asgjë tjetër. Blejmë mallin dhe marrim kupona", tha një tregtar.

Po ashtu, një tregtar tjetër shprehet: "Asnjë s'kam parë. Ne e blejmë atje dhe e shesim këtu, ai thotë që është i mirë , unë s'di gjë ça është këtu".

Sipas tregtarëve, kontrollet e AKU nuk duhet të shtrihen vetëm në tregje.

"Inspektori të shkojë atje ku e merr mallin, në Lushnje, Divjakë apo Korçë, atje të kontrollohen. Po ça procesverbali, ne e blejmë atje tek shumica. Asgjë nuk ka atje, merr mallin edhe ik", thekson një tregtar.

"Llogaria duhet të kërkohet atje ku duhet se edhe unë jam konsumator si gjithë të tjerët. Ça është artikull që nuk konsumohet të hidhet, ça bën ne ta tregtojmë, që edhe ne të rrimë rehat", shton një tjetër.

AKU ka refuzuar të tregojë për Televizionin Klan se çfarë analizash kryen për produktet bujqësore që dalin në treg. Për herë të parë pas këtij skandali reagoi edhe Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, i cili gjatë një takimi në Sarandë tha se inspektorët janë në terren tani që sezoni turistik është në kulmin e tij.

Prej ditësh Televizioni Klan dhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit kanë ngritur shqetësimin për cilësinë e produkteve që tregtohen, duke zbuluar nivele disa herë më të larta të nitratit në produkte si pjepri dhe shalqini.

Tv Klan

Recommended