100 vota kundër tij, Meta: Parlamenti, jo legjitim! Të izolojmë të çmendurit, dekreti i detyrueshëm

  • 5 years ago
Një ditë pas votimit të rezolutës në Kuvendin e Shqipërisë me 100 vota kundër dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe nisjes së procedurave për shkarkimin e tij, kreu i shtetit Ilir Meta duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse ka reflektuar, sikur i bëri thirrje kryeministri Edi Rama, u shpreh se Presidenti është i Republikës dhe Republika e qytetarëve. Ai e cilësoi parlamentin jo legjitim, ndërsa tha se po mban shënim të gjitha institucionet që nuk zbatojnë dekretin e tij për anulimin e 30 Qershorit.

"Presidenti është zgjedhur nga parlamenti, natyrisht jo nga ky, por një plotësisht legjitim. Presidenti i takon Republikës dhe Republika u takon vetëm qytetarëve. Besoj se jam shumë i qartë. Dekreti është në fuqi i detyrueshëm për të gjithë, Presidenti mban shënim të gjitha institucionet që shkelin ligjin" tha ai. Meta kishte edhe një paralajmërim për të gjitha institucionet që nuk zbatojnë dekretin e tij, përfshirë këtu KQZ-në, që e ka injoruar. "Presidenti ka drejtë të bëjë thirrje për reflektim, ata që e ecin në rrugën e paligjshëmrisë do të kenë të gjitha pasojat që provokojnë paqen sociale në vend dhe stabilitetin demokratik në vend" deklaroi ai.

Por a do të pranojë Presidenti vendimet e Kolegjit nëse e rrëzon dekretin? "Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit që nuk ekziston, Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet, përkundrazi ftoj për të izoluar cdo të çmendur i cili në këtë ditë të dhurimit të gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme". Në fund, i pyetur për një datë të re zgjedhjesh dhe nëse do të thërrasë për konsultime kryeministrin Rama dhe kryetarin e PD-së, Basha, Meta u përgjigj duke thënë se 'Data e re e zgjedhjeve? Sa më parë të jetë e mundur, po punojmë me shumë qetësi dhe përgjegjësi. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi vetëm ato sigurojnë celjen e shpejtë të negociatave. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë le të vijojë" përfundoi ai.

Recommended