Valë aksidentesh të rënda në Maqedoninë e Veriut

  • 5 years ago
Ditët e fundit Maqedonia e Veriut është përfshirë nga një valë aksidentesh të rënda që përfunduan me humbje jetësh. Shqetësuese ka qenë edhe dita e sotme ku vetëm në orët e paradites u regjistruan tre aksidente. Në lagjen Ilinden të Shkupit një grua e moshuar është goditur nga një makinë Mercedes me targa të Kumanovës.

Kështu konfirmojnë edhe nga Sektori i Punëve të Brendshme Shkup duke mos dhënë detaje të tjera përveç asaj se e moshuara ka marr lëndime të rënda trupore. Aksidenti i dytë ndodhi në udhëkryqin para Kuvendit mes një makine Polo dhe një motoçiklete. Sipas dëshmitarëve vozitësi i motoçikletës ka marrë lëndime të lehta. Aksidenti i tretë u regjistrua në afërsi të Prilepit me ç`rast një furgon është përplasur me një kamion dhe si pasojë të dy automjetet janë rrokullisur.

Nga institucionet përgjegjëse thonë se sqarime të tjera do të japin në raportin e radhës të MPB-së. Përveç aksidenteve të përditshme, shqetësues mbetet edhe numri i madh i shoferëve pa leje për vozitje. Informacionet nga SPB Shkup tregojnë se nga gjithsej 32 shoferë të përjashtuar nga komunikacioni gjatë ditës së djeshme, 30 ishin pa patentë shoferi, ndërsa dy shoferë fillestarë. Nga ky sektor gjithashtu njoftojnë se nga komunikacioni janë përjashtuar edhe 18 automjete të paregjistruara. Përndryshe, në gjithsej 14 aksidente rrugore dje në Shkup, gjashtë persona janë lënduar më lehtë, ndërsa një më rëndë. Sipas të dhënave të fundit të SPB Shkup, pesëmbëdhjetë shoferë gjatë ditës së djeshme kanë shfrytëzuar celular gjatë drejtimit të automjetit.

Recommended