PD LSI kërkojnë komisionerë më 30 qershor!Burime nga PS: Duan të shkatërrojnë materialet zgjedhore
  • 5 years ago
TIRANE - Partia Demokratike dhe Lëvizja për Socialiste për Integrim, kërkojnë të jenë pjesë e procesit zgjedhor më 30 qershor 2019. Dy forcat politike që zgjodhën të mos marrin pjesë në garën elektorale me kandidatë për kryetarët e rinj të 61 bashkive, pas djegies në bllok të mandateve të deputetëve, tashmë kërkojnë të kenë anëtarët e tyre, pra të PD-së dhe LSI-së, në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor.

Sekretari i Pëgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka dhënë edhe një argument, se përse PD dhe LSI po marrin këtë hap duke kërkuar komisionerë, në kushtet kur zgjedhjet vendore të 30 qershorit ata i kanë bojkotuar. Sipas tij, ka informacione se në KZAZ janë duke ndodhur manipulime të procesit zgjedhor, siç sipas pretendimeve të PD-së dhe LSI-së, është regjistrimi i paligjshëm i kandidatëve për kryetar bashkie.

?Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. Në ditët në vijim do të faktojmë të gjitha paligjshmërinë e kryera nga përfaqësuesit e Edi Ramës gjatë procesit", thuhet një reagim të Gazmend Bardhit, i cili thotë se të gjitha degëve të partive u janë dërguar porosi që të propozojnë anëtarët që i takojnë PD-së dhe LSI-së.

Edhe pse nuk janë regjistruar si parti për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, PD-së dhe LSI-së, i lind e drejta ligjore të kenë komisionerë në qendrat e votimit. Sipas Kodit Zgjedhor, kjo e drejtë u lind nisur nga rezultati i zgjedhjeve pararendëse, parlamentaret e 2017-ës. Pra, se cilave parti u takojnë të kenë komisionerë, është përcaktuar para se forcat politike të regjistroheshin në zgjedhje.

Kodi Zgjedhor, në nenin 29, parashikon që kur partitë politike në opozitë nuk paraqesin kandidatët për komisionerë, vendet vakante plotësohen nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve me komisionerë të pavarur, të cilët plotësojnë kriteret ligjore. Por, pika pesë i këtij neni parashikon që anëtarët e KZAZ-ve të emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike. Sipas kësaj pike, zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve, pra më 31 Maj.
Recommended