Report TV -Qëllohet me armë në drejtim të një automjeti në Vlorë

  • 5 years ago
Rikthehet terrori në Vlorë. Dy ditë pas atentatit në lungomare ndaj Inez Hajrullës pasditen e sotme është regjistruar një tjetër ngjarje. Në autostradën Vlorë-Fier në Novoselë te ura e Mifolit është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një makine tip 'Golf', që drejtohej nga Romarjo Aliraj, i cili ishte objektiv i atentatit.

Ai ka qenë duke udhëtuar nga Vlora në drejtim të Fierit në momentin që një makinë po e ndiqte, ndërsa e ka qëlluar me breshëri. Makina është bërë shoshë nga kallashnikovi, por fatmirësisht Aliraj ka shpëtuar pa asnjë plagë nga plumbat, ndërsa ka marrë dëmtime të lehta pas daljes së makinës nga rruga, pasi 33-vjeçari humbi kontrollin duke përfunduar në një arë.

Report Tv sjell foton e të riut dhe pamjet e makinës me targa AA 864 SV, e cila i ka të dyja dyert e hapura duke krijuar dyshimet se në automjet mund të kenë qenë edhe një tjetër person, që mund të jetë larguar. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe ambulanca, ndërsa i plagosuri u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi nuk e ka kapur asnjë plumb.

Recommended